Passer au contenu
Pyetje : I dijshmi që përmendet në historinë e Sulejmanit Alejhi Selam në suren En-Neml, është prej xhindeve apo prej njerëzve ?
Përgjigje : Ajetet e Kuranit për të cilat bëhet fjalë janë :
《Pastaj, ai (Sulejmani -alejhi selam-) tha: “O këshilltarët e mi! Cili prej jush do të më sjellë Arshin e saj (dmth: fronin e Belkisës), para se ata të më vijnë të dorëzuar?”
Një Ifrit nga xhindet, i tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; unë për këtë jam i fuqishëm dhe besnik”.
Një i pajisur me dijen e Librit, i tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”.
Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues》Sure En-Neml: 38-40.
Në këto ajete shihet qartë se Sulejmani Alejhi Selam do të demonstrojë pushtetin e tij që ti tregojë Belkisës mbretëreshës së Jemenit dy gjëra :
– E para: Ai nuk joshet me asgjë prej të mirave të Dynjasë, sepse atij nuk i mungon asgjë prej tyre.
– E dyta: Vlerën e besimit të pastër të papërzier me idhujtari, i cili i mundësoi atij një pushtet të pakrahasueshëm me asnjë pushtet tjetër të mbretërve të tokës.
Për këtë qëllim, ai shpreh një dëshirë për ti sjellë atij fronin e saj nga Jemeni në Sham, vendi ku ndodhej kryeqendra e pushtetit të tij, para se ajo të vije tek ai, sepse ajo ishte nisur për tek Sulejmani për ta joshur atë me dhurata që ta largonte rrezikun e tij nga mbretëria e saj.
Ai pasi e shprehu këtë dëshirë, mori dy propozime nga të ulurit në mexhlisin e tij.
1. Propozimi i parë i erdhi nga një xhind i cili është përshkruar si Ifrit dhe fjala “Ifrit” në gjuhën arabe dmth: Prijës prej xhindeve, i fortë dhe me karakter të ashpër, siç thotë imam Taberiu -Allahu e mëshiroftë-.
Ifriti i ofroi atij t’ia sillte fronin e saj para se të ngrihej nga mexhlisi i gjykimit siç thotë imam Taberiu -Allahu e mëshiroftë-: “Është përmendur se ai ulej në mexhlis deri në mesditë për të gjykuar mes njerëzve”. Kjo do të thotë se ai do tia sillte atë para mesditës, kohë kjo kur shpërndahej mexhlisi i tij.
2. Propozimi i dytë i erdhi nga një i dijshëm i cili nuk është përcaktuar nëse është prej njerëzve, apo prej xhindeve, apo edhe prej melaikeve. Ai ia sjell atë atij sa hap dhe mbyll sytë dhe Sulejmani Alejhi Selam menjëherë e pa atë para tij.
Komentuesit e Kuranit në lidhje me përcaktimin e tij kanë dhënë vetëm dy mendime: ka prej tyre që mendojnë se është prej njerëzve dhe ka prej tyre që mendojnë se është prej melaikeve dhe askush prej tyre nuk ka përmendur se ai është prej xhinëve, siç shihet nga përmbledhja që i bën dijetari i njohur i Tefsirit Ibn El-Xheuzij Allahu e mëshiroftë.
I dijshmi, siç duket nga ana e jashtme e përshkrimit, e realizoi këtë gjë nëpërmjet dijes së tij në librin e Allahut dhe kjo gjë të bën më shumë të mendosh se ai ishte prej njerëzve, sepse njerëzit nuk kanë mundësi tjetër ta realizojnë këtë gjë, veç lidhjes me Allahun e madhëruar, për shkak të natyrës së tyre që nuk përmban aftësinë e fluturimit. Shumica e komentuesve të Kuranit mendojnë se ai dinte emrin e madh të Allahut me të cilin po ti lutej, i përgjigjej lutjes së tij.
Në disa transmetime thuhet se i dijshmi ishte prej njerëzve dhe ai iu lut Allahut të madhëruar, pastaj fronin e sollën melaiket më shpejt sesa xhindet dhe Allahu e di më së miri.
« Më e rëndësishme për ne këtu, sesa përcaktimi i këtij të dijshmi, është pikërisht kjo mënyrë me të cilën ai e realizoi dëshirën e Sulejmanit, sepse Allahu i madhëruar pikërisht këtë ka dashur të tregojë se fuqia e Tij është mbi çdo fuqi dhe se Ai nderon me të ata që i luten vetëm Atij me besim të pastër dhe i nënshtrohen porosive të Tij. »