Dëgjoi një ajet dhe i mjaftoi

♦️Dëgjoi një ajet dhe i mjaftoi


📜Një sahabi me emrin Sasa’ah bin Muauije -radiallahu anhu- thotë:
《Shkova te Profeti alejhi selam dhe e dëgjova duke lexuar fjalën e Allahut:
“Kush punon një vepër të mirë (qoftë edhe) sa një grimcë ka për ta parë atë dhe kush bën një vepër të keqe (qoftë edhe) sa një grimcë ka për ta parë atë”.
Atëherë ai tha: Më mjafton kjo fjalë dhe nuk më preokupon nëse nuk dëgjoj më gjë tjetër》
▪️E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Shejh Shuajb El-Arnaut.

♦️Sqarime
Sasa’ah bin Muauije -radiallahu anhu- është sahabi prej fisnikëve të Arabisë. Ai është xhaxhai i Ahnef bin Kajs, tabiini i njohur për maturi dhe urtësi -Allahu e mëshiroftë-.

♦️Dobitë e përfituara:

➖E para: Allahu i Madhëruar prej drejtësisë së Tij ka ruajtur të gjitha veprat e robërve, të mëdha dhe të vogla sepse përderisa ka llogari dhe Allahu është më i drejti i të drejtëve, atëherë çdo gjë duhet ruajtur.
Në një ajet tjetër veprat e vogla të robit janë krahasuar me farat e vogla të lirit dhe thuhet:
“Nëse (vepra e robit) do të jetë sa një farë liri, do t’ia sjellim atë dhe mjafton të jemi Ne numëruesit” Sure El-Enbija: 47.
Fjala e Tij « Mjafton të jemi Ne numëruesit » dmth: Ska numërues më të mirë sesa Ne.

➖E dyta: Kurani është këshilla më e mirë dhe e më e plotë sepse ai është fjala e Allahut dhe fjala e Tij nuk është si fjalët e tjera. Në këtë këshillë janë bashkuar të dy bazat e këshillimit shpresa dhe frika: shpresa e punëve të mira dhe frika nga punët e këqija dhe kur plotësohen këto të dyja është plotësuar këshillimi.

➖E treta: Zemra e shëndoshë mund të nxjerrë mësime nga çdo gjë e aq më tepër me këshilla të plota si këshillat e Kuranit, sepse ky burrë duke patur një zemër të shëndoshë i mjaftoi atij një ajet për tu përkujtuar. Problemi i shumë njerëzve që nuk përfitojnë nga këshillat e Kuranit qëndron shpesh herë te zemrat e tyre të sëmura, herë të mbushura me dyshime e herë të mbushura me epshe e dëshira të cilat janë pengesa për meditim. Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk meditojnë në Kuran apo zemrat e tyre janë të kyçura”. Zemrat e tyre të kyçura me dyshime dhe epshe ua pengojnë atyre përkujtimin.

➖E katërta: Prej faktorëve që ndihmojë në meditimin e mirë të Kuranit është devotshmëria e atij që i përcjell fjalët e tij, sepse burri tha se ato ajete i dëgjoi nga vet Profeti -alejhi selam- dhe ai është më i devotshmi i njerëzve siç ndikon gjithashtu edhe këndimi i bukur i Kuranit dhe që të dyja i ka patur Profeti alejhi selam.

 

Dr. Abdullah Nabolli