Faraoni dhe propaganda e tij

Faraoni dhe propaganda e tij

♦️Deklaratat mashtruese të Faraonit dhe propaganda e tij.

Ardhja e Musait Alejhi Selam me argumente të forta prej Allahut të Madhëruar dhe triumfi i tij në përballjen e madhe me magjistarët, e lëkundi Faraonin dhe pushtetin e tij.

Faraoni kur iu frikësua shpërbërjes së pushtetit të tij, përdori atë që ne gjuhen e sotme quhet propagandë manipuluese për të mbajtur të mbledhur njerëzit e tij.

■ Allahu i Madhëruar në Kuran thotë :
Faraoni tha: Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet! Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë” Sure Gafir: 26.

Fjala e tij [Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet] ndërkohë që ai me pushtetin që gëzonte, nuk e kishte të vështirë ta bënte, tregon qartë se ai i druhej diçkaje.

Dijetarët thonë: Ai mbase i druhej lëkundjes së njerëzve -siç e thamë më lart-, por ndoshta edhe vet ndihej i frikësuar sepse mrekullitë e Musait -alejhi selam- ishin të mëdha. Atëherë ai për propagandë e shpreh dëshirën e tij për ta vrarë Musain -alejhi selam- në formë sfide duke thënë [Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet].

Ai pastaj ua tregon se pse do ta vrasë atë dhe u thotë: [Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë].

Këto fjalë duke pasur parasysh se Allahu i Madhëruar ka thënë për të dhe pasuesit e tij: “Ata i mohuan ato (dmth: argumentet tona) padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse në shpirtat i tyre i besonin për të vërteta” [Sure En-Neml :14], janë tregues i qartë se ato ishin vetëm propagandë përderisa ata e dinin se Musai -alejhi selam- është në të drejtën.

▪️Faraoni u tha gjithashtu atyre:
Unë ju tregoj vetëm atë që shoh dhe ju udhëzoj vetëm në rrugën e drejtë” Sure Gafir: 29.

Fjala e tij “atë që shoh” do të thotë: atë që shoh të drejtë dhe të saktë dhe tregon qartë se ai më këto fjalë do t’iu tregojë atyre që e rrethojnë se po i këshillon me sinqeritet dhe besnikëri dhe prandaj e përfundon fjalën e tij duke thënë: “dhe ju udhëzoj vetëm në rrugën e drejtë”.

Ai me këto fjalë e mashtroi popullin e tij për ta mbajtur në të kotën dhe kur vdiq i mbytur në det bashkë me ta, tha Allahu i Madhëruar: “Faraoni i solli humbje popullit të vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë” Sure Taha: 79.
Pra, ai i gënjeu ata dhe ata u mashtruan.

▪️Te propaganda e Faraonit futen edhe fjalët e tjera të tij të cilat i thoshte rreth Musait alejhi selam si: magjistar, i çmendur, shkatërrimtar etj sepse këto fjalë pas gjykimit të Allahut të Madhëruar se ata thoshin me gojët e tyre ndryshe nga çfarë ata mendonin për të e aq me tepër pas përfundimit të tij të keq nuk mund të quhen ndryshe veçse propagandë për ti larguar njerëzit nga profeti i Allahut.

♦️Si përfundim themi:

1- Ndër njerëz ka nga ata që mbajnë shumë ligësi dhe e përdorin elokuencën dhe fjalët e bukura për interesa personale dhe për të mbrojtur të kotën, prandaj mos u mashtro!

2- Deklaratat boshe herët a vonë do tu shihet falsiteti dhe nuk do të mbetet veçse fjala e sinqertë dhe e drejtë, siç thotë Allahu i Madhëruar për fjalët dhe qëndrimet e Ibrahimit -alejhi selam- kur u tha idhujtarëve: “Unë distancohem nga ata që ju i adhuroni, përveç atij që më krijoi dhe Ai patjetër do të më udhëzojë”, atëherë Allahu i Madhëruar tha për të “Ai e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij” për ta thënë atë çdo besimtar deri ditën e Kiametit.

Dr. Abdullah Nabolli