Marrja e besës për besim.
▪️ Përcillet nga Ibn Abasi -Allahu qoftë i kënaqur me të- se ka thënë:
«Ka thënë i Dërguari i Allahut -alejhi selam-: Allahu ua ka marrë besën bijve të Ademit në Numan (dmth: në Arafat). Ai nxori prej shpinës së tij çdo pasardhës që do të krijohet dhe i përhapi para tij si mizat e dheut.
Ai pastaj u foli atyre drejtpërdrejt dhe u tha: A nuk jam unë zoti juaj?
Ata i thanë: Sigurisht që je.
Atëherë Ai u tha: Se mos thoni ditën e Kiametit se ne ndaj kësaj ishim të shkujdesur. Apo të thoni se në shirk ranë baballarët tanë para nesh dhe ne erdhëm pas tyre. A mos do të na dënosh për çfarë kanë bërë të padrejtët?!»
E shënon Imam Ahmedi dhe e saktëson Shejh Albani.
▪️ Qëllimi i hadithit
Ky hadith tregon për një besë të hershme të cilën Allahu i Madhëruar ua ka marrë njerëzve për besimin e Tij si Zot që në kohën e Ademit -alejhi selam-.
Kjo besë është përmendur edhe në një ajet në Kuran thuajse me të njëjtat fjalë, veçse atje fillon kështu:
“Përkujto, kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri ata të dëshmojnë ndaj vetes së tyre…..”
Sure El-Araf: 172.
Shumica e dijetarëve, siç thotë Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë-, janë të mendimit se ajeti dhe hadithi bëjnë fjalë për të njëjtën ngjarje dhe se Allahu i Madhëruar ka nxjerrë nga shpina e Ademit alejhi selam bijtë e tij dhe nga shpina e bijve të tij bijtë e tyre e kështu me radhë çdokënd që do të lindë deri ditën e Kiametit. Ai pastaj i ka pajisur ata me logjikë dhe mundësi për tu shprehur dhe ata të gjithë kanë dëshmuar se Ai është Zoti i tyre. Ata pas kësaj dëshmie janë kthyer sërish në shpinën e Ademit -alejhi selam- për të lindur më pas në këtë botë në natyrën e pastër të besimit në Zot, larg shirkut dhe idhujtarisë siç thotë Profeti Alejhi Selam: “Çdo fëmijë lind në natyrën e pastër të besimit” d.m.th: sipas dëshmisë që ai ka dhënë në kohën e Ademit Alejhi Selam.
Dr. Abdullah Nabolli


